Ndërpresin grevën të burgosurit e "Rastit Dobrosini"
KMDLNJ në Prizren ka njoftuar të premten se është ndërprerë greva e urisë e tre të burgosurve në burgun e Prizrenit, grevë kjo e filluar shtatë më parë.“Puna e brendshme e menaxhmentit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, dhe sugjerimi për ndërprerje të grevës, bazuar edhe në fillimin e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të grevistëve, ka rezultuar me ndërprerje të grevës”, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së, transmeton "Zeri.info".
Në grevë ishin: Skënder Selmani, Qëndrim Rexhaj dhe Abdullah Zogaj të dënuar secili me nga 5,5 vite burgim, në shkallën e parë nga EULEX-i më 16 tetor të vitit 2013. Tash lënda ndodhet në apel.
Tre prej 10 të dënuarve për sulmin kundër postbllokut të policisë serbe në Dobrosin (më 2012), që nga data 13 shkurt kishin nisur greve urie, në shenjë pakënaqësie për vonesën apo stërzgjatjen e shqyrtimit të lëndës së tyre nga ana e EULEX-it, në shkallën e dytë.
Një trup gjykues i përbërë prej gjyqtarëve ndërkombëtarë dhe atyre vendas në Gjykatën Themelore në Gjilan në tetor të vitit 2013 i ka dënuar 10 persona me një dënim të përgjithshëm me burgim prej 59 vjet e 9 muaj për veprën e terrorizmit dhe organizimit dhe pjesëmarrjes në një grup terrorist.
Ndërsa, në mbështetje të të burgosurve grevistë për sot është paraparë një protestë para selisë së EULEX-it në Prishtinë, për të cilën nuk dihet nëse do të mbahet pas ndërprerjes së grevës. /Titulli.com/